Presidenti i Sri Lankës, Gotabaya Rajapaksa ka njoftuar se do të japë dorëheqjen pasi protestuesit hynë në rezidencën e tij zyrtare dhe i vunë flakën shtëpisë së kryeministrit.
Në momentin e sulmit nga turmat e popullit, as kryeministri dhe as presidenti nuk ishin në ndërtesat qeveritare.
Mijëra njerëz zbritën në kryeqytetin Kolombo, duke i bërë thirrje Rajapaksa-s të jepte dorëheqjen pas muajsh protestash për keqmenaxhimin e krizës ekonomike.
Rajapaksa do të japë dorëheqjen më 13 korrik. Edhe kryeministri Wickremesinghe ka pranuar të japë dorëheqjen.
Kryetari e parlamentit Mahinda Abeyweardana tha se presidenti vendosi të largohej “për të siguruar një dorëzim paqësor të pushtetit”. “Prandaj kërkoj nga publiku që të respektojë ligjin dhe të ruajë qetësinë”, tha ai.
Vetëm disa orë herët, shtëpia e Ranil Wickremesinghe ishte djegur pasi protestuesit hynë brenda dhe i vunë flakën. Videot që qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë flakët që ndezin qiellin e natës.
Turmat kishin pushtuar më herët rezidencën zyrtare të Presidentit Rajapaksa, duke u shtrirë nëpër dhoma dhe duke u hedhur në pishinën e tij.
Rajapaksa u largua nga rezidenca e tij zyrtare të premten si një masë paraprake sigurie, përpara protestave të planifikuara.
Protestuesit u nisën drejt rezidencës së presidentit të shtunën në mëngjes, përpara se të thyenin barrikadat.
Qindra protestues hynë në shtëpi, duke brohoritur parulla dhe duke valëvitur flamurin kombëtar.
Skena të ngjashme mund të shiheshin edhe në shtëpinë e kryeministrit. Vendi po vuan inflacionin e shfrenuar dhe po lufton për të importuar ushqime, karburant dhe ilaçe.
Një numër i madh protestuesish udhëtuan drejt kryeqytetit nga i gjithë vendi aziatik.