Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel i kërkoi Maqedonisë së Veriut që të pranojë propozimin francez, duke premtuar se do të mbrojë identitetin maqedonas, në mënyrë që negociatat për anëtarësim të nisin në ditët e ardhshme.
Nëse ngërçi mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë zgjidhet, përfiton automatikisht edhe Shqipëria.
“Jam i bindur që është një zgjidhje e ekuilibruar, që është për të mirën tuaj. Nëse thoni po, atëherë konferenca e parë do të organizohet në ditët e ardhshme”, tha Michel në një konferencë për mediat me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.
Nga ana e tij, Kovaçevski sqaroi se po pret përfundimin e procesit konsultues për ta firmosur planin Macron, që heq pengesat për nisjen e negociatave te anëtarësimit edhe për Shqipërinë.