Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on pinterest
Share on telegram
Share on reddit
Share on vk
Share on email
Share on print

Banka zvicerane merr dënimin historik pasi pastroi paratë e lidhura me trafikun e kokainës

Banka “Credit Suisse” u dënua nga Gjykata Penale Federale e Zvicrës të hënën për dështimin në parandalimin e pastrimit të parave nga një bandë bullgare e trafikut të kokainës. Ky ishte gjyqi i parë penal në vend ndaj një prej bankave të saj kryesore.

Sikurse shkruan Borderlandbeat.com, një ish-punonjëse u shpall fajtore për pastrim parash në gjyq dhe shihet si një rast provë për prokurorët që ndjekin një qëndrim më të ashpër ndaj bankave të vendit.

Vendimi shënon një tjetër dhimbje koke për bankën e dytë më të madhe të Zvicrës, e cila është zhytur nga miliarda humbje për shkak të gabimeve në menaxhimin e rrezikut dhe pajtueshmërisë. Prokurorja federale Alice de Chambrier e përshëndeti vendimin si “i mirë për transparencën”. Si “Credit Suisse” ashtu edhe ish-punonjësja e kishin mohuar keqbërjen. Banka “Credit Suisse” tha se do të apelonte kundër dënimit.

Gjyqtarët panë nëse “Credit Suisse” dhe ish-punonjësja bënë mjaftueshëm për të parandaluar bandën e trafikut të kokainës nga pastrimi i fitimeve të tyre përmes bankës nga viti 2004 deri në 2008. Gjykata tha të hënën se gjeti mangësi brenda “Credit Suisse” si në lidhje me menaxhimin e marrëdhënieve me klientët nga organizata kriminale dhe në lidhje me monitorimin e zbatimit të rregullave kundër pastrimit të parave.

“Këto mangësi kanë mundësuar tërheqjen e pasurisë së organizatës kriminale, e cila ka qenë bazë e dënimit të ish-punonjëses së bankës për pastrim parash të kualifikuar”- tha gjykata. “Kompania mund ta kishte parandaluar shkeljen nëse do të kishte përmbushur detyrimet e saj organizative.”- tha kryetari i trupit gjykues në dhënien e vendimit, duke shtuar se eprorët e ish-punonjëses kishin qenë “pasivë”.

“Credit Suisse” tha se rasti lindi nga një hetim që daton më shumë se 14 vjet më parë.

“Credit Suisse po teston vazhdimisht kuadrin e saj kundër pastrimit të parave dhe e ka forcuar atë me kalimin e kohës, në përputhje me standardet rregullatore në zhvillim.”– tha banka.

“Credit Suisse” u gjobit me 2 milionë franga zvicerane (apo 2.1 milionë dollarë). Gjykata urdhëroi gjithashtu konfiskimin e aseteve me vlerë më shumë se 12 milionë franga që banda e drogës mbante në llogaritë e saj dhe urdhëroi bankën të hiqte dorë nga më shumë se 19 milionë franga, shuma që nuk mund të konfiskohej për shkak të mangësive të brendshme në Credit Suisse.

Gjykata i dha ish-punonjëses, emri i të cilës nuk mund të përmendet sipas ligjeve zvicerane të privatësisë, një dënim të pezulluar prej 20 muajsh dhe një gjobë për pastrim parash. Kryetarja e trupit gjykues tha se punonjësja nuk kishte arritur të përmbushte rolin që kishte në “vijën e parë të mbrojtjes” të bankës.

Ish-avokatja e bankieres tha se ajo do të apelonte kundër “vendimit të pabazuar dhe të padrejtë”, duke vënë në dukje se ajo nuk kishte patur asnjë përfitim financiar. “Ky gjykim vendos përgjegjësinë për pastrimin e parave mbi njerëzit pa ndonjë trajnim apo përvojë serioze.”- tha avokati i saj. Aksionet e bankës “Credit Suisse” u mbyllën me 0.4%, ndërsa indeksi i sektorit bankar europian u rrit me 0.3%. Ato kanë rënë me më shumë se 40% në vitin e kaluar, pasi janë përballur me disa skandale dhe mospagim të kredive në vitet e fundit.

Banda bullgare e trafikut të kokainës

Credit Suisse dhe një nga ish-punonjëset e saj u përballën me akuza për lejimin e një bande të dyshuar bullgare të trafikut të kokainës për të pastruar miliona euro, disa prej tyre në kartëmonedha të përdorura të futura në valixhe. Credit Suisse mësoi për akuzat për vrasje dhe kontrabandë kokaine që dyshohet se ishin të lidhura me një bandë bullgare, por vazhdoi të menaxhonte paratë.

Banka dhe bankieri i akuzuar mohuan çdo keqbërje. Aktakuza përqendrohej në marrëdhëniet që Credit Suisse dhe ish-punonjësja e saj kishin me ish-mundësin bullgar Evelin Banev dhe bashkëpunëtorë të shumtë, dy prej të cilëve u akuzuan gjithashtu në këtë rast.

Bankierja grua, e cila akuzohet se ka ndihmuar në fshehjen e origjinës kriminale të parave përmes më shumë se 146 milionë frangave zvicerane në transaksione, u paraqit në Gjykatën Penale Federale në Bellinzona në jug të Zvicrës së bashku me menaxherët e saj që dhanë dëshmitë e tyre. Ngjarjet u zhvilluan midis viteve 2004 dhe 2008.

Një zëdhënës i Credit Suisse tha se banka ka hedhur poshtë të gjitha akuzat dhe se ishte e bindur se ish-punonjësja e saj ishte e pafajshme. Credit Suisse kundërshton origjinën e paligjshme të parave, kështu i ka thënë Reuters një burim pranë bankës. Burimi tha se Banev dhe rrethi i tij operonin biznese legjitime në ndërtim, dhënie me qira dhe hotele.

Banev nuk përballet me akuza në Zvicër, por u dënua në Itali për trafik droge në vitin 2017 dhe në Bullgari në vitin 2018 për pastrim parash. Ai u arrestua në shtator në Ukrainë, ndërsa vende si Bullgaria dhe Rumania kërkuan arrestimin e tij. Në Sofje, avokati i tij tha javën e kaluar se Banev mohoi çdo përfshirje në pastrimin e parave nga trafiku i drogës nëpërmjet Credit Suisse.

Menaxhimi i bankës dyshohet se e mësoi për vrasjet dhe s’veproi

Ish-bankierja e Credit Suisse, identiteti i së cilës nuk mund të raportohet sipas rregullave zvicerane të privatësisë, tha se ajo u tregoi menaxherëve të saj mbi ngjarjet, duke përfshirë dy vrasje, por se megjithatë ata vendosën të vijonin biznesin.

Në një email të qershorit 2005 të lexuar në gjykatë, një bankier i Credit Suisse hodhi poshtë raportet e shtypit që lidhnin vrasjen e një prej bashkëpunëtorëve të Banev një muaj më parë me trafikun e drogës.

“Pas vrasjes ne kemi vendosur të vazhdojmë marrëdhëniet e biznesit.”- shkruan bankieri në email. “Artikulli i përmendur (i shkurtër dhe i pasaktë) që lidh vrasjen me kokainën spanjolle…nuk është konfirmuar.”

Afërsisht dy vjet më vonë, nëna e viktimës u vra gjithashtu pak para se ajo të jepte një deklaratë si pjesë e një hetimi për Banev, tha më vonë bankierja në gjykatë, duke e shtyrë atë të ngrejë çështjen me menaxherët e saj.

Banev, avokati i të cilit nuk pranoi të komentonte më tej të enjten, ishte në paraburgim në atë kohë, i akuzuar për pjesëmarrje në një grup kriminal të organizuar që synonte të pastronte paratë.

“Reagimi që mora kur fola me hierarkinë time, ishin pyetjet: a ka vrarë personi një klient banke? Jo, ajo nuk ishte.”– tha bankierja në gjykatë. “A është ajo në ndonjë mënyrë e lidhur me bankën, a e njihni atë?’- tha ajo duke kujtuar bisedën. ‘Unë i thashë: ‘Jo, nuk e kam takuar kurrë’. Dhe pastaj reagimi ishte: Mirë atëherë cili është problemi juaj?”

Gjykata dëgjoi se bankierja mori shpërblime prej 122 mijë frangash zvicerane në vitin 2006 dhe 180 mijë franga në vitet 2007 dhe 2008.

Duke marrë qëndrimin për të dhënë dëshmi, menaxherët e bankieres thanë këtë javë se ata mund të kujtonin pak ngjarje në atë kohë dhe thanë se ia kishin besuar çështjen departamentit ligjor dhe të pajtueshmërisë së bankës në përputhje me rregullat e brendshme në lidhje me fondet nën hetim.

“I gjithë procesi është me ligj dhe pajtueshmëri”- tha në gjykatë një nga ish-menaxherët e bankieres. “Menaxherit të marrëdhënieve i kërkohet të mos informojë kolegët kur ligji dhe pajtueshmëria e konsideron të rëndësishme informimin e hierarkive të ndryshme, atëherë ata e bëjnë atë.”

Banka e dytë më e madhe e Zvicrës, kur u pyet për koment, përsëriti se i hedh poshtë të gjitha akuzat si të pabaza dhe tha se nuk kishte keqbërje nga ish-punonjësja e saj. Çështja po ndiqej nga afër në Zvicër, ku shihet si një provë për prokurorët për të marrë një qëndrim potencialisht më të ashpër ndaj bankave të vendit.

Ekspertët e korrupsionit dhe pastrimit të parave thanë se fakti që Zvicra kishte ndërmarrë veprime ligjore kundër një lojtari bankar global si “Credit Suisse” mund të dërgonte një mesazh të fuqishëm në një vend të famshëm për industrinë e tij bankare.

LAJME TË TJERA >>