Një e djathtë e fortë dhe stadiumi ‘Wembley’, i mbushur me tifozë, shpërthen nga gëzimi. Ka mjaftuar një goditje e kampionit të botës në WBC të peshave të renda, Tyson Fury, për të mbrojtur titullin kudër sfidantit Dillian White. Fitore me nokaut në raundin e 6-të.
Një sfidë boksi e gjitha angleze, spektakël dhe biznes para 100 mijë spektatorëve, çka konfirmon se Anglia mbetet ‘Meka” e boksit, bashkë me SHBA-të. Ka konfirmuar po ashtu klasin e “Gypsy King”, mbretit cigan, gjigantit 2.06 metra të gjatë, me një peshë 126 kilogramë. Fury nuk humb prej 33 ndeshjesh: 32 fitore dhe 1 barazim në sfidën e parë të trilogjisë ndaj Deontay Wilder, e pasuar nga dy suksese.
Whyte, një vit më i madh se Fury (34 a 33) dhe 13 centimetra më i shkurtër, nuk mundi të bënte asgjë në këtë derbi anglez. Tentativat e tij për të shkurtuar diferencën nuk dhanë asnjëherë efekt. Fury fitoi në gjithçka, në raundin e tretë pati goditjet më të mira, kurse në raundin e katërt pati edhe provokim nga rivali dhe u desh të ndërhynte arbitri për të ndarë dy boksierët.
Edhe raundi i 5-të ishte në favor të Fury. Dhe në të gjashtin goditja finale dhe White bie në tapet. Arbitri fillon të numërojë, sfidanti arrin të ngrihet, por këmbët nuk e mbajnë dhe këtu ndeshja përfundon.
Mbreti cigan falënderon Zotin dhe këndon “Miss American Pie”, këngën ikonike të Don Mc Lean, dedikuar gruas. Një mbyllje që e konfirmon ‘show man’, përveçse kampion dhe kushedi për sa kohë. Nëse nuk do të jetë tërheqje ajo që Fury deklaroi pas ndeshjes.