Daniel Kinahan, një emër shumë i njohur në botën e boksit, tashmë është kthyer në një nga kriminelët më të kërkuar të SHBA-ve.
I krahasuar me Camorra-n italiane dhe yakuza-n japoneze, ish-promotori i boksierit Tyson Fury, Daniel Kinahan po kërkohet nga qeveria amerikane për trafik ndërkombëtar droge. Madje për informacione që çojnë në kapjen e tij ofrohen deri në 5 milionë dollarë.
Irlandezi ka qenë njeriu që bëri të famshëm boksierin britanik, Fury-n. Ky i fundit këtë të shtunë do të ketë përballjen me Dillian Whyte-n, për titullin kampion bote në peshat e rënda WBC.
Në një raport ekskluziv të “The Irish Mirror”, janë publikuar lidhjet e Kinahan në Evropë. Karteli “KOCG” i drejtuar prej tij operon në Irlandë, Mbretërinë e Bashkuar, Spanjë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Sipas të dhënave nga Thesari amerikan, të ardhurat e kartelit të Kinahan kanë qenë mbi 1 miliard paund vitet e fundit.
Sipas “The Irish Mirror” dy kanë qenë bashkëpunëtorët e ngushtë të Kinahan. Një është bosi i një bande serbe, i cili është arrestuar javët e fundit. Ndërsa, personi tjetër është një shqiptar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur.
Shqiptari ishte lidhja e irlandezit me kartelet nga Amerika e Jugut dhe merrej me sigurinë e drogës ndërsa ajo mbërrinte në portet e Evropës.