Për herë të parë në histori, në Kukës do të luhet një ndeshje futbolli me drita. “Kukës Arena” i rikonstruktuar plotësisht është gati të presë më në fund ekipin pas një shtegtimi të gjatë, tifozët vendës dhe shumë të tjerë që pritet të vijnë nga jashtë, kryesisht nga Anglia.
Do të jetë një festë e vërtetë sot në Kukës. Ndeshja me Laçin do të nisë në orën 20:00, në fushën e re dhe nën dritën e prozhektorëve. Ka të ftuar specialë për këtë mbrëmje të veçantë, që meriton edhe një fitore nga ana e ekipit. Kukësi luan ende për vendin e dytë dhe sot i bëjnë punë vetëm 3 pikët.
Një fitore e mundshme e Kukësit sot ndaj Laçit do t’i jepte mundësinë Tiranës të shpallej kampione e vendit matematikisht. Festa e kryeqytetasve do të niste që këtë javë, nëse Kukësi mund Laçin dhe ata fitojnë nesër ndaj Kastriotit. Kanë mbetur edhe 7 javë kampionati dhe Tirana është 16 pikë përpara vendit të dytë.
Java e 30-të e Superiores luan sot edhe një sfidë tjetër shumë të rëndësishme. Vllaznia dhe Partizani ndeshen në “Loro Boriçi” në një 90-minutësh, që vendos shumë për Europën. Shkodranët kanë avantazhin e fushës, ndërsa Partizani nuk po kalon një moment të mirë pas eliminimit nga Kupa pikërisht nga Vllaznia.
Të dielën luhen ndeshjet Tirana-Kastrioti, Skënderbeu-Egnatia dhe Dinamo-Teuta.