Gianni Infantino, kreu i FIFA-s nuk është dorëzuar përsa i përketë reformës kohore në zhvillimin e Kupës së Botës.
Turneu më i rëndësishëm për ekipet kombëtare zhvillohet një herë në katër vjet. Më herët, Infantino kishte shprehur haptazi idenë e tij, për organizimin dyvjeçar të saj.
Në kushtet kur shumica prej aktorëve të futbollit i doli kundër, kreu i FIFA-s u tërhoq disi, por mesa duket ende nuk është dorëzuar përfundimisht.
Sipas raportimeve që vijnë nga “Corriere dello Sport” dhe “The Sun”, italiano-zvicerani ka gati një alternativë të re. Zhvillimin e Kupës së Botës çdo 36-muaj.
Ideja e Infantino-s për një Kupë Bote çdo tre vjet ka marrë parasysh edhe disa kompeticione të tjera.
Në vitin e parë do të luhej Kupa e Botës për Klube, e cila në formatin e ri do të ketë 24 skuadra pjesëmarrëse. Në vitin e dytë do të zhvilloheshin kompeticionet e rëndësishme kontinentale për skuadrat kombëtare si Kampionati Evropian, apo Kupa e Amerikës së Jugut. Dhe në vitin e tretë do të zhvillohej Kupa e Botës.
Infantino paraqiti propozimin e tij gjatë Kongresit të FIFA-s, të mbajtur në Doha përpara shortit të grupeve të Kupës së Botës që do të mbahet në Katar midis nëntorit dhe dhjetorit 2022.