Tema e të drejtave të njeriut në Botërorin e Katarit vazhdon të ngjallë shumë diskutime. Polemikat e fundit kanë të bëjnë me flamurin ylber, simbolin e komunitetit Lgbt.
Polemika, sepse ky flamur nuk do të pranohet në stadiumet ku do të luhet Botërori. Kjo është deklarata e gjeneralit Abdulaziz Abdullah al-Ansari, president i komitetit kombëtar antiterrorizëm të ministrisë së brendëshme dhe shef i sigurisë për Botërorin e Katarit, në një intervistë për “Times”.
“Nëse një fans do të valvisë një flamur ylber, unë do t’ia marr menjëherë, jo sepse vërtet dua ta bëj, – ka thënë Ansari. – Nuk është një sulm, por një gjest për ta mbrojtur, sepse nëse nuk e bëj unë, dikush aty rrotull mund ta sulmojë. Nuk mund të dal garant për sjelljen e personave të tjerë. Do t’i them: të lutem, nuk është nevoja ta ngresh atë flamur këtu, në stadium. Do ta tregosh opinionin tënd për situatën? Bëje në një shoqëri, ku mund të pranohet”.
Morali? Po çifteve gej, por në privatësinë e tyre. “Nëse prenotojnë një dhomë bashkë apo flenë bashkë, nuk është puna jonë, – vazhdon Ansari. – Jemi këtu për të administruar turneun, nuk shkojmë më tej. Këtu nuk mund t’i ndryshojnë ligjet, nuk mund ta ndryshosh fenë për 28 ditët e Kupës së Botës. Tifozët kanë blerë një biletë për të parë ndeshjen, jo për të shkuar në stadium për të bërë një gjest politik, apo të mbrojnë një ideal”.
Homoseksualiteti është një vepër penale në Katar. Organizatorët e Botërotit kanë bërë me dije se çiftet gej do të jenë të mirëpritur, por nuk do të lejohen skenat e tyre në publik, as përkëdheljet. Tani mësohet se nuk do të tolerohen as flamujt ylber.