Një pyetje e pazakontë ka lindur: Kush po negocion për Ukrainën dhe pse?
Kështu e nis analizën e tij studiuesi suedez, Anders Aslund.
Ish-anëtari i lartë në Këshillin Atlantik tregon se fillimisht, gjatë raundit të parë të negociatave me Rusinë në Bjellorusi, Ukraina kishte gjashtë përfaqësues.
Tre prej tyre janë të përhershëm: ministri i Mbrojtjes Reznikov, këshilltari presidencial Podolyak dhe lideri i fraksionit “Shërbëtori i Popullit”, Arakhmia.
“Këta të tre janë përfaqësues natyralë dhe Reznikov vlerësohet shumë. Por 3 nga 6 të parët u zhdukën”, vëren Aslund.
Studiuesi sjell në vëmendje edhe figurën e Denys Kyreev-it, i cili u vra nën “aludimet” e spiunazhit.
Figura e Chalyi-t
“Në Stamboll u shfaqën disa fytyra të reja ukrainase. Më i shquari ishte Oleksandr Chalyi, një nga diplomatët e hershëm të shquar ukrainas, zëvendësministër i parë i punëve të jashtme për shumë vite”, shton Aslund në analizën e tij.
Arritja e tij më krenare ishte memorandumi i Budapestit i dhjetorit 1994, nënvizon ai.
“5 dhjetori 1995 ishte një ditë historike për Ukrainën. Pas nënshkrimit të Memorandumit të Budapestit nga presidentët e Rusisë dhe SHBA-ve dhe kryeministri i Britanisë së Madhe, atij iu bashkuan edhe Franca dhe Republika e Kinës. Në këtë mënyrë, Ukraina mori garanci të veçanta për sigurinë e saj nga të pesë anëtarët e rregullt të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ishte një rast i paprecedentë në jetën bashkëkohore ndërkombëtare dhe të drejtën ndërkombëtare”, shkruante Chalyi asokohe.
Sipas Aslund, ky ishte një dështim diplomatik ukrainas “spektakolar” në dobi të Rusisë, për të cilin shumë ukrainas kanë humbur jetën.
“Unë kam diskutuar vazhdimisht për Budapest-in me presidentin ukrainas Leonid Kuchma, i cili këmbëngul se ishte mashtruar”, vijon ekonomisti suedez.
Referuar Chalyi-t, Aslund thekson se ky i fundit ka një qëndrim qartësisht pro-rus.
Prandaj, ai humbi të gjithë qëndrimin pas rënies së Yanukovych-it dhe ka punuar si konsulent në sektorin privat.
Aslund sqaron në vijim se Chalyi ka shkruar raporte të përsëritura me Samuel Charap, grupin e mendimit më pro-rus të SHBA-ve.
Ish-anëtari i lartë në Këshillin Atlantik e mbyll analizën e tij me hijet e dyshimit mbi figurën e ish-zyrtarit ukrainas.
“Pse ftohet arkitekti kryesor pro-rus i këtij dokumenti fatkeq që të negociojë sërish me Rusinë?”, përmbyll Aslund.