Më 24 shkurt, ditën kur Rusia pushtoi Ukrainën, Presidenti Vladimir Putin dha një paralajmërim për të gjithë: “Pavarësisht se kush përpiqet të na pengojë apo aq më tepër të kërcënojë vendin dhe popullin tonë, duhet ta dinë se Rusia do të përgjigjet menjëherë.
“Kjo deklaratë interpretohet si një kërcënim për përdorimin e armëve bërthamore”.
Në rast se dikush kishte ndonjë dyshim, Putin tre ditë më vonë vuri në gatishmëri armët e tij bërthamore megjithëse nuk shpjegoi se çfarë nënkuptonte diçka e tillë në praktikë. Shanset për një konfrontim të përshkallëzuar që çon në përdorimin e armëve bërthamore në Europë janë ende jashtëzakonisht të ulëta.
Megjithatë, nëse situata do të përkeqësohej në mënyrë drastike, a do të lëshonte vërtet Rusia një bombë bërthamore në një vend të NATO-s?
A do ta përdorte një të tillë kundër Ukrainës?
Përgjigjet e vërteta për këto pyetje mund ti gjejmë sigurisht në mendjen e Putinit. Sot Rusia vlerësohet të ketë 1,588 koka bërthamore dhe 2,889 rezerva. Më 26 mars, Dmitry Medvedev, nënkryetar i këshillit të sigurisë kombëtare të Rusisë (i dyti vetëm pas Putin) dhe ish-presidenti i vendit, iu referua doktrinës ushtarake kur foli për mundësitë që mund ta detyrojnë Putinin të përdorë armët bërthamore, raporton abcnews.al.
Doktrina u hartua kryesisht me mbikëqyrjen e Putin kur ai ishte kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, në vitin 1999, dhe më pas kryeministër. Doktrina lejon përdorimin e armëve bërthamore, në rrethana të caktuara. Megjithatë, për të kuptuar domethënien e tij të plotë, është e nevojshme të rikthehemi pas në periudhën e Bashkimit Sovjetik.
Për pjesën më të madhe të luftës së ftohtë, Bashkimi Sovjetik dhe Amerika i cilësuan përdorimin e armëve bërthamore si mundësinë e fundit. Zyrtarisht Bashkimi Sovjetik hoqi dorë nga përdorimi i armëve bërthamore në vitin 1982.
Doktrina e tyre e përbashkët e shkatërrimit të amëve, e cila siguroi që asnjëra nuk mund të fitonte një luftë bërthamore, mbështetej në mirëkuptimin e ndërsjellë. Por epërsia e Amerikës në armatimin konvencional, gjatë luftës së Gjirit në vitin 1990 e ndryshoi të gjithë këtë.
Në pamundësi për të ruajtur ritmin, Rusia filloi të mbështetej më shumë në forcat e saj bërthamore. Ajo shmangu përdorimin e tyre në 1993, por në vitin 2000, në doktrinën e saj ushtarake thuhej se një sulm bërthamor mund të përdorej kundër një kundërshtari, forcat konvencionale të të cilit kërcënonin të mposhtnin mbrojtjen konvencionale të Rusisë.
Në teori, mbështetja në forcat bërthamore ishte vetëm e përkohshme, derisa Rusia të mund të krahasohej me forcat konvencionale të Amerikës. Në praktikë, megjithatë, Rusia nuk po ia del dhe zyrtarët e saj po shqyrtojnë mundësinë për të rritur numrin e forcave bërthamore.
Në vitin 2009, pasardhësi i Putinit si kreu i Këshillit të Sigurimit tha se Rusia kishte mundësinë për të përdorur sulme të kufizuara bërthamore kundër një agresori “duke përdorur armë konvencionale në një luftë gjithëpërfshirëse, rajonale apo edhe lokale”.
Ai iu referua gjithashtu “sulmeve bërthamore parandaluese”. Ato mund të jenë taktike, të përdorura kundër qendrave të komandës dhe kontrollit ose bazave ajrore, jo qyteteve.”
Që nga ajo kohë, Rusia ka përshkruar më saktësi rrethanat në të cilat do të përdorte armët bërthamore. Versioni i fundit i doktrinës së tij ushtarake (në vitin 2010) tha se mund t’i përdorte armët në rast se vendi do të kërcënohej.
Kjo dukej një kërkesë disi më e rreptë se doktrina e vitit 2000, e cila lejonte përdorimin e armëve bërthamore “në situata kritike për sigurinë kombëtare të Federatës Ruse”. Në vitin 2020, qeveria tha se “i konsideron armët bërthamore si një mjet parandalimi”.
Por Rusia megjithatë mund të përdorë armë bërthamore kundër NATO-s.
NATO, në fund të fundit, ka armë bërthamore; Rusia tha se sanksionet perëndimore në mbështetje të Ukrainës nënkuptojnë “një shpallje lufte” (pra në këtë kontekst NATO është agresori); dhe Putin ka pohuar vazhdimisht se Amerika dhe Perëndimi po kërkojnë të shkatërrojnë Rusinë (duke nënkuptuar se ekzistenca e shtetit po kërcënohet).
Disa argumentojnë se Rusia madje mund të përdorë një pajisje bërthamore kundër Ukrainës, pavarësisht se Ukraina nuk ka armë bërthamore, Rusia e ka akuzuar atë (pa prova) për ndërtimin e pajisjeve bërthamore.
Rusia krijoi doktrinën e saj ushtarake pasluftës së ftohtë për përdorimin e armëve bërthamore sepse kishte frikë nga disfata në një luftë konvencionale kundër Amerikës. Nëse Rusia do të pësojë disfatë në Ukrainë, Putin mund të detyrohet të vendosë në praktikë doktrinën e tij.