Kremlin-i do lejojë përdorimin e armëve bërthamore nga Rusia në rast të një kërcënimi ndaj saj.
Kështu deklaroi për multi-medialin amerikan “CNN” zëdhënësi i Kremlin-it, Dmitry Peskov.
“Koncepti i sigurisë kombëtare të Rusisë parashikon përdorimin e armëve bërthamore vetëm në rast të një kërcënimi për vetë ekzistencën e saj”, theksoi Peskov.
Sipas tij, presidenti rus Vladimir Putin synon ta bëjë botën të dëgjojë dhe të kuptojë shqetësimet e Kremlin-it.
“Ne jemi përpjekur t’i përcjellim shqetësimet tona në botë, në Evropë, në SHBA, për disa dekada. Por askush nuk do të na dëgjonte dhe para se të ishte tepër vonë, ishte një vendim për të filluar operacionin special ushtarak për të hequr qafe anti-Rusinë që u krijua që u krijua pranë kufijve tanë”, nënvizoi më tej Peskov për CNN.
Deklarata e Peskov vjen gati katër javë pasi Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt.
Disa ditë më vonë, Putin urdhëroi forcat bërthamore ruse që të jenë në gatishmëri të lartë, duke përmendur si shkak “sanksionet agresive dhe të paligjshme” të Perëndimit kundër Rusisë.
Më herët, u raportua se në samitin e NATO-s në Bruksel, vendet anëtare të aleancës do të diskutojnë se si do të reagojnë nëse Rusia përdor armë kimike, biologjike, kibernetike ose bërthamore.
Gjatë së martës, presidenti amerikan Joe Biden paralajmëroi se Putin-i mund të përdorë armë kimike në Ukrainë tani që është “me shpatulla pas murit”.