Misioni i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), ka shpërndarë në median sociale, Twitter, një deklaratë të përbashkët për dezinformatat ruse dhe detyrën që ka për t’i paraqitur ato me fakte. Gjithashtu, Rusia u akuzua se abuzon me privilegjet, si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, i cili supozohet të jetë “një vend për arritjen e paqes përmes diplomacisë”.
“Pra, ne jemi këtu sot për t’i kërkuar llogari Rusisë. Për të thënë të vërtetën. Dhe për të siguruar që gënjeshtrat dhe dezinformatat e tyre të përballen me fakte”.
Deklarata, e dhënë nga Ambasadorja Linda Thomas-Greenfield, Përfaqësuese e SHBA-ve në Kombet e Bashkuara, ka ardhur para mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe është në emër të Shqipërisë, Francës, Irlandës, Norvegjisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara.
“Rusia po përpiqet edhe një herë ta përdorë këtë Këshill për të pastruar dezinformatat e saj, për të përhapur propagandën e saj dhe për të justifikuar sulmin e saj të paprovokuar dhe brutal ndaj Ukrainës”, thuhej në deklaratë.
Gënjeshtrat dhe dezinformacionet nga pala ruse, thotë Thomas-Greenfield, janë krijuar për një qëllim, “për të shmangur përgjegjësinë për luftën e zgjedhur të Rusisë dhe katastrofën humanitare që ajo ka shkaktuar”.
Në deklaratë është përmendur se Rusia është ajo që posedon armë biologjike, dhe Ukraina siç është akuzuar nga Kremlini.
“Siç e dini të gjithë – dhe siç duhet t’ia kujtojmë publikut – është Rusia ajo që ka mbajtur prej kohësh një program armësh biologjike në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar – jo Ukraina. Është Rusia ajo që ka një histori të mirë-dokumentuar të përdorimit të armëve kimike – jo Ukraina. Dhe është Rusia, ajo që filloi këtë luftë të pakuptimtë”.
Nuk u la pa përmendur edhe roli i Rusisë si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke e akuzuar se ka “abuzuar me përgjegjësitë dhe privilegjet e saj”.
“Ne do vazhdojmë të sigurojmë që taktikat e tyre të përballen me një kor të fuqishëm zërash nga e gjithë komuniteti ndërkombëtar të përgatitur për të qëndruar me Ukrainën dhe për të dalë në mbrojtje të Kartës së OKB-së”, përfundon deklarata.