Prej më shumë se 6 orësh është mbledhur kryesia e PD ku po diskutohet nëse duhet të hapet apo jo gara për kryetarin e ri. Deputetja demokrate, Jorida Tabaku vendosi të mos pranojë propozimin e Gazment Bardhit për të marrë drejtimin e komanduar të PD.
Tabaku propozoi ngritjen e një grupi drejtues me 3 persona me eksperiencë të cilët do të çojnë Partinë Demokratike në zgjedhje nga poshtë-lartë duke përfshirë dhe një proces ri-anëtarësimi. Në mbledhje anëtari i kryesisë Helidon Bushati i cili është njëkohësisht dhe deputet ka kërkuar që partia të shkoj drejt procesit të bashkimit.
Më herët në mbledhjen e Bardhit me deputetët dhe kryetarët e degëve ka pasur qëndrime të ndryshme.
Të mbetur pa kryetar demokratët kërkojnë më shumë kohë për të nisur procesin e zgjedhjeve. Në mbledhjen e grupit duket se ka gjetur dakordësi propozimi i Gazment Bardhit që riorganizimi të nisë nga seksionet dhe degët si edhe të lihet më shumë hapësirë për të tjera negociata me PD e Rithemelimit.
Pas grupit parlamentar, Gazment Bardhi i paraqiti platformën krerëve të degëve, të cilët kundërshtojnë formulën e ristrukturimit të propozuar nga deputetët. Krerët e degëve kanë kërkuar që zgjedhjet për kryetarin e ri të Partisë Demokratike të mbahen brenda 15 korrikut dhe të mos zvarritet procesi.
Çfarë ka parashtruar grupi i PD
Grupi i PD parashtroi platformën me 5 pika ku përfshihen dhe hapat që sipas tyre do të sjellin procesin e riorganizimit brenda PD.
Krijimin e një grupi pune përbashkues për ndjekjen dhe realizimin e procesit të riorganizimit, sipas një plani të qartë, transparent dhe gjithëpërfshirës, që ndjek këto hapa:
– Hapi i parë: Hapja e partisë dhe certifikimi i anëtarsisë aktuale;
– Hapi i dytë: Fillimi i procesit të zgjedhjeve në nivel seksioni, grupseksioni dhe dege;
– Hapi i tretë : Procesi i zgjedhjes së kryetarit të Partisë.