Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on pinterest
Share on telegram
Share on reddit
Share on vk
Share on email
Share on print

400 milionë njerëz e panë finalen e Tiranës të Conference League

Ngjarja më e madhe futbollistike e vitit në Shqipëri, finalja e UEFA Europa Conference League, nuk solli vetëm tifozë nga ekipet pjesëmarrëse, interesin e gjithë sportdashësve, por edhe një sukses të vërtetë mediatik për Shqipërinë.

Madje, ajo ndoshta ka hyrë në histori si ngjarja sportive në Shqipëri më e ndjekur në të gjitha kohërat, pasi sytë e 400 milionë njerëzve në ekranet e gjithë botës u kthyen për nga Tirana.

Të pranishëm në stadium kanë qenë 510 gazetarë të huaj. Në 155 vende të botës, ngjarja futbollistike u transmetua drejtpërdrejt dhe përllogaritjet paraprake të shikueshmërisë, në bazë të regjisë ndërkombëtare, tregojnë se shifra e shikuesve ka shkuar në 400 milionë.

I gjithë eventi në vetvete shkoi më së miri, përtej përplasjeve të tifozëve holandezë e italianë me Policinë e Shtetit, një ditë përpara shkelmimit të parë të topit në fushën e blertë.

Ndërsa, 25 maji, ishte i gjithi një festë për Tiranën.

Gjallëria nuk qe vetëm sociale, por edhe ekonomike, pasi në terma tërësorë, mendohet se fitimet për kryeqytetin mund të arrijnë në rreth 140 milionë euro.

Këtu përfshihen udhëtimet e tifozërive, hoteleria, sektori i shërbimeve etj.

Vetë kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, deklaroi se “përshtypjet kanë qenë shumë pozitive” edhe nga vetë funksionarë të lartë të UEFA-s, mbi organizimin e kryeqytetit për finalen e parë të kupës më të re evropiane për klube.

Shpresat nuk janë të pakta edhe për një finale tjetër evropiane në Shqipëri, pavarësisht faktit se asgjë konkrete nuk është në tavolinë.

Por, e sigurt, është se spektakli futbollistik u përcoll më së miri në Shqipëri. Ndoshta, edhe përtej pritshmërive fillestare të të gjithëve!

LAJME TË TJERA >>