Në 32-vjetorin e krijimit të Partisë Socialiste të Shqipërisë, kryesocialisti Edi Rama u shpreh se kësaj force, i duhet një projekti i ri, politik edhe social.
Në fjalimin e mbajtur në Pallatin e Kongreseve, kryeministri iu drejtua anëtarëve të tjerë të PS-së se ndryshimi do të nisë nga “vetja”, përndryshe qytetarët do t’i gjuajnë me shuplakë.
“Pa e futur thellë gozhdë në kokë sot që na e kanë dhënë tërë këtë besim të vërtetën se shqiptarët nuk kanë sesi të jenë të kënaqur me ne, ne s’do u shpëtojmë shuplakës së tyre nesër kur të na kërkojnë që të na votojnë përsëri. Duhet të projektoheni me të ardhmen duke e nisur reflektimin dhe punë nga vetja siç kemi bërë pas çdo zgjedhje, kur të tjerët kanë humbur dhe kanë bërtitur fitore. Sot ne kemi nevojë për një fillim të ri, për një projekt të ri politik dhe organizativ. Na duhet të shkojmë përtej PS-së ku të krijojmë një hapësirë të re politike dhe sociale. Duhet të hapim rrugë të reja për të bashkuar në një komunitet të ri politik anëtarët, simpatizantët dhe qytetarët e interesuar të ecim para. Prioriteti i prioritetit të qeverisjes vendore do të jetë njerzillëku. Qytetarët janë në pritje të diçkaje, të cilën fati dhe nderi ynë e kërkon prej nesh”- tha Rama.
Ai nuk harroi të përmendte fitoren e 14 majit, e as Sali Berishën dhe Ilir Metën, duke shtuar se përfshirja e tyre në garën elektorale ndihmoi socialistët, pasi demokratët nuk dolën të votonin.
“Nuk është dot mjaft i gjithë turi i mirënjohjes në tërë Shqipërinë, ku tani ka mbetur vetëm qershia mbi tortë, Tropoja, bashkia ku na mjaftuan vetëm 4 vjet për të bërë atë që të tjerët nuk bëjnë dot në 32 vite. Tropojanët votuan për të mirën e tyre, për pastërtinë e qetësinë e zhvillimin në komunitetin e tyre. Votuan për një Tropojë të rilindur që do vazhdojë vetëm përpara përmes agroturizmit. Kështu votuan edhe shkodranët, dibranët e kuksjanët që vendosën të ecin para duke i lënë mbrapa hijet kërcënuese të së shkuarës. Kjo falë edhe shumë të djathtëve që e braktisën koalicionin e hijeve duke mos shkuar fare në votime. Faleminderit edhe atyre që u distancuan nga dy kryefigurave njëra me e kapur se tjetra nga hallet e tyre me dejtësinë dhe Amerikën. Për herë të tetë, ata u betuan para pasqyrave dhe për të tetën herë rresht e nisën ditën e tyre përmbys. Si përherë ia morën atij avazit të vjetër me grabitjen e votës nga bandat e krimit. Do u mjaftonte të shkonin një ditë në Kamëz të shihnin sesa ka ndryshuar”- u shpreh kryeministri i vendit, Edi Rama.