Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on pinterest
Share on telegram
Share on reddit
Share on vk
Share on email
Share on print

20 vjet më pas/ Nga rrëmbimi i avionëve te shembja e Kullave Binjake

Akrepat duken si tehe, që lëvizin çdo minutë, çdo sekondë të ditës më tragjike për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Imazhet e sulmeve të 11 shtatorit 2001, rishfaqen edhe sot, njëzet vjet më vonë, një episod i dhunës së pakrahasueshme dhe dëshpërimit të pamatë. 

Më poshtë po përshkruajmë kronikën e atyre orëve të tmerrshme, minutë për minutë, nga hipja e rrëmbyesve në avionë, te goditja dhe shembja e Kullave Binjake dhe shpresat e Perëndimit.

05:33 – Gjithçka fillon në Portland, Maine (një nga 51 shtetet amerikane), rreth 500 kilometra në veri të Nju Jorkut. Mohamed Atta dhe Abd al-Aziz al-Umari, largohen nga hoteli “Comfort Inn” në Portlandin e Jugut dhe shkojnë drejt aeroportit me një makinë tip “Nissan, Altima blu”.

05:45 – Zona kohore është gjithmonë ajo e Nju Jorkut, të një 11 shtatori të zakonshëm. Rrëmbyesit e avionëve, Mohammed Atta dhe Abdulaziz al-Omari, kalojnë kontrollet e sigurisë rrugës për në Boston. Këtu, së bashku me tre terroristë të tjerë, ata hipin në “Fluturimin 11” të “American Airlines” për në Los Anxheles, me 92 persona në bord. Gjithashtu, në aeroportin “Logan” të Bostonit, pesë të tjerë hipin në një “Boeing 767” të “American Airlines Flight 175”, i cili do të niset në 8:14 të mëngjesit për Los Anxheles me 51 pasagjerë në bord.

Rrëmbyesit e 11 shtatorit: Ziad Jarrah, (majtas) dhe Mohammed Atta, qeshin me atë që duket se është vullneti dhe testamenti i tyre i fundit në një kasetë video të bërë në Afganistan, më 18 janar 2000

06:00 – Atta dhe al -Omari nisen me fluturimin “Colgan Air 5930” për në Boston.

06:45 – Dy rrëmbyesit, mbërrijnë në Aeroportin Ndërkombëtar general “Edward Lawrence Logan” të Bostonit.

06:52 – Marwan al -Shehhi, një tjetër nga rrëmbyesit, piloti i “Fluturimit 175” të “United Airlines”, telefonon Atta-n për të konfirmuar fillimin e operacioneve.

07:00 – Atta, al-Omari, Satam al-Suqami, Walid al-Shihri dhe Wa’il al-Shihri, hipin në “Fluturimin 11” të “American Airlines”. 

Në momentin e kontrollit, al-Suqami dhe dy vëllezërit al-Shihri, janë zgjedhur për një kontroll më të saktë të bagazheve të dorës, të kaluara pa probleme. 

Ndërkohë, al-Shehhi, Fayez Banihammad, Mohand al-Shihri, Hamza al-Ghamdi dhe Ahmed al-Ghamdi, hipin në “Fluturimin 175” të “United Airlines”. Edhe në këtë rast, asnjë problem me kontrollin e sigurisë.

07:15 – Hani Hanjour, Khalid al-Mihdhar, Majed Moqed, Nawaf al-Hazmi dhe Salem al-Hazmi, fillojnë procedurat e hipjes në “Fluturimin 77” të “American Airlines”, protagonisti i sulmit në Pentagon. Edhe këtu, rrëmbyesit Hanjour al-Mihdhar dhe Moqed janë zgjedhur për një kontroll më të afërt. Gjithçka e qetë edhe në këtë rast.

Grupi prej 19 terroristësh që sulmuan Amerikën me katër avionë, të udhëhequr nga egjiptiani Mohamed Atta

07:30 – Ziyad Jarrah, Ahmed al-Nami, Sa’id al-Ghamdi dhe Ahmed al-Haznawi hipin në “Fluturimin 93” të “United Airlines”.

7:59 – “Fluturimi AA11”, një “Boeing 767”, niset nga Bostoni 14 minuta më vonë për në Los Anxheles. Në bord janë 81 pasagjerë (përfshirë pesë rrëmbyesit) dhe 11 anëtarë të ekuipazhit.

8:13 – “Fluturimi AA11” nuk i përgjigjet më komandave nga Qendra e Vrojtimit Ajror të Bostonit. Rrëmbyesit ka të ngjarë të kenë hyrë në veprim në këtë kohë. Daniel Lewin, ish-kapiten i Sayeret Matkal (Forcat Speciale Izraelite Kundër Terrorizmit), i gjendur rastësisht në avion, qëllohet për vdekje me thikë në përpjekjen për të ndaluar terroristët.

8:14 – “Fluturimi UA175”, një tjetër “Boeing 767”, niset nga Aeroporti i Bostonit për në Los Anxheles gjithashtu. Në bord janë 56 pasagjerë (përfshirë pesë rrëmbyesit) dhe nëntë anëtarë të ekuipazhit.

8:19 – Betty Ong, një stjuardesë e “Fluturimit AA11”, kontakton me “American Airlines”. Komunikimi është i qartë: “Unë mendoj se avioni ynë është rrëmbyer”. 

Gruaja gjithashtu pretendon se një pasagjer i biznes-klasit (Daniel Lewin) dhe dy stjuardesa (Karen Martin dhe Barbara Arestegui), u goditën me thikë dhe jep indikacionet e para mbi vendet e zëna nga rrëmbyesit. Bëhet një identifikim fillestar i terroristëve.

Betty Ong, stjuardesa aziatiko-amerikane e “Fluturimit AA11”, e cila komunikoi e para me autoritetet për rrëmbimin e avionit

8:20 – “Fluturimi AA77”, një “Boeing 757”, niset nga Aeroporti Ndërkombëtar i Uashingtonit, ‘Dulles’ për në Los Anxheles. Në bord janë 58 pasagjerë (përfshirë pesë rrëmbyesit) dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit.

8:21 – Transponderi (sistemi elektronik i identifikimit të rrugës) i “Fluturimit AA11”, është i fikur. Avioni zhduket nga monitorët e kontrolluesve të fluturimit.

8:24 – Qendra FAA-ve e Bostonit, merr një komunikim nga “Fluturimi AA11”. Zëri i një burri (ndoshta Mohamed Atta) thotë: “Ne kemi disa aeroplanë. Qëndroni të qetë dhe gjithçka do të shkojë mirë. Ne po kthehemi në aeroport”.

Sidoqoftë, deklaratat e Atta-s nuk kuptohen nga kontrolluesit. Rreth njëzet sekonda më vonë, ndodh komunikimi i dytë: “Askush të mos lëvizë, gjithçka do të shkojë mirë. Nëse përpiqeni të reagoni, do të rrezikoni veten dhe avionin. Rrini të qetë”.  Kontrollorët e fluturimit e kuptojnë që aeroplani është rrëmbyer dhe paralajmërojnë eprorët e tyre.

8:25 – Stjuardesa e “AA11”, Madeline Amy Sweeney, kontakton menaxherin e “American Airlines”, Michael Woodward në telefon. Dëshmia e Sweeney lejon identifikimin e tre rrëmbyesve: al-Omari, Atta dhe al-Suqami.

8:28 – Qendra e Kontrollit të Bostonit njofton Qendrën FAA-ve në Herndon, Virxhinia, se “Fluturimi AA11” është rrëmbyer dhe po shkon në Nju Jork, pasi bëri një kthesë të madhe drejt jugut.

Selia e Pentagonit, e goditur nga avioni “American Airlines 77”, ku humbën jetën 64 pasagjerët me gjithë terroristët dhe 125 ushtarakë të personalit të Mbrojtjes

8:33 – Nga fluturimi “AA11”, vjen një komunikim i mëtejshëm, gjithashtu nga Atta: “Askush të mos lëvizë, ju lutem. Po kthehemi në aeroport. Mos u mundoni të bëni lëvizje të gabuara”. Ndërkohë, procedura e sigurisë aktivizohet për të garantuar konfidencialitetin e informacionit.

8:37 – Qendra FAA-ve në Boston paralajmëron kontrolluesit e Sektorit të Mbrojtjes Ajrore Verilindore për rrëmbimin e “Fluturimit AA11”, duke kërkuar ndihmën e ushtrisë për të ndjekur avionin. Urdhërohet ngritja e avionit luftarak amerikan, por që do të vonojë të reagojë në kohë.

8:40 – Dy F-15 të Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara, janë përgatitur në Bazën Ajrore Otis (Masaçusets) me urdhër për të kapur aeroplanin e rrëmbyer. Në të njëjtën kohë, “Fluturimi AA11” hyn në hapësirën ajrore të qytetit të Nju Jorkut.

8:42 – “Fluturimi UA93”, një “Boeing 757”, niset nga Aeroporti Ndërkombëtar i Newark për në San Françisko mbi 40 minuta me vonesë për shkak të mbingarkesës së trafikut ajror. Në bord janë 37 pasagjerë (përfshirë katër rrëmbyesit) dhe shtatë anëtarë të ekuipazhit. Në të njëjtën kohë, komunikimi i fundit fillon nga “Fluturimi UA175”. 

Pilotët thonë për fluturimin “AA11”: “Ne dëgjuam një transmetim të dyshimtë kur u larguam nga Bostoni. Dikush… dukej sikur dikush kishte marrë mikrofonin dhe i kishte thënë të gjithëve të qëndrojnë në vendet e tyre”.

8:44 – Terroristët marrin kontrollin e “Fluturimit UA175”, vrasin pilotët dhe godasin disa stjuardesa.

Terroristët kanë zgjedhur avionë të mëdhenj linjash ajrore për rrëmbim, për shkak se donin që të kishin sa më shumë karburant gjatë përplasjes

8:45 – Është ora 14:45 në Europë. Është ora “X”: “Fluturimi AA11” përplaset në Kullën Veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork, midis kateve 93 dhe 99, me 790 kilometra në orë. Avioni hyn në Kullë pothuajse plotësisht i paprekur, duke çarë në dy pjesë shtyllat e betonit të tre kateve në ndërtesë. 

Një valë goditëse e tmerrshme trondit Kullën, ndërsa shpërthen një zjarr i fuqishëm, i nxitur nga karburanti që rrjedh nga rezervuari i aeroplanit. Ndikimi është aq shkatërrues, saqë trupi i avionit e shpon Kullën Binjake nga njëra anë në tjetrën.

8:46 – Nga tani e deri në 10:28, rreth 200 njerëz, të bllokuar në katet e sipërme të Kullës së Veriut dhe më vonë edhe të Kullës së Jugut, po përpiqen dëshpërimisht të shpëtojnë veten duke u hedhur nga lartësi të mëdha. Zjarrfikësi Daniel Thomas Suhr, goditet nga një burrë që hidhet nga Kulla poshtë dhe vdes.

8:49 – Shërbimi i sigurisë i Kullës së Veriut, urdhëron evakuimin e plotë të rrokaqiellit. Zjarrfikëset, policia dhe ambulancat e para fillojnë të mbërrijnë.

Fluturimi i katërt, “United Airlines Flight 93”: një avion “Boeing 757”, në rrugën për në San Françisko, u përplas në një fushë pas një përleshjeje mes rrëmbyesve dhe pasagjerëve

9:03 – Terrori ende bie nga qielli mbi Nju Jork. “Fluturimi 175” i “United Airlines”, përplaset në Kullën e Jugut, midis kateve 77 dhe 85, me 870 kilometra në orë. Gjithçka ndodh drejtpërdrejt në TV. Pas përplasjes të parë, në fakt, kamerat e mediave synojnë Qendrën Botërore të Tregtisë në kërkim të lajmeve për atë që – në momentin e parë – dukej si një aksident. Mbeturina të avionit dalin nga anët lindore dhe veriore të ndërtesës dhe zbresin deri në gjashtë kate poshtë. 

Fillon një evakuim masiv i kateve të poshtme nën zonën e përplasjes. Një nga katet mbetet i paprekur pavarësisht goditjes, por është i papërdorshëm për shkak të tymit të tepërt. Shumë njerëz ngjiten në çati me shpresën e kotë se do të shpëtohen nga ajri.

9:06 – Në një shkollë fillore në Sarasota, Florida, shefi i stafit të Xhorxh W. Bush, Andrew Card, i afrohet presidentit për t’i pëshpëritur në vesh: “Një aeroplan i dytë goditi Qendrën Botërore të Tregtisë. Amerika është nën sulm”. 

Skena është filmuar nga disa kamera në vend për të dokumentuar vizitën presidenciale. Imazhi hyn direkt në histori. Bush për disa minuta vazhdon të dëgjojë nxënësit e shkollës, duke bërë sikur asgjë nuk ka ndodhur dhe duke injoruar qëllimisht kërkesat e shërbimeve sekrete për të lënë menjëherë ndërtesën.

Ora 9:06 minuta, 11 shtator 2001: shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, njofton presidentin George W.Bush, në një shkollë në Florida, se SHBA-të janë sulmuar

9:10 – “American Airlines” dhe “United Airlines” bllokojnë ngritjen e avionëve të tyre në të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

9:18 – Bush anulon angazhimet institucionale të planifikuara për atë ditë.

9:20 – FBI ndjek gjurmët e terroristëve. Në Nju Jork, mësohet se agjencia federale ishte paralajmëruar për rrëmbimin e mundshëm të një avioni pak para tragjedisë.

9:28 – Burimet e Shtëpisë së Bardhë flasin për një sulm.

9:30 – Bursa e “Nymex” dhe bursa “Mercantile” e Nju Jorkut janë evakuuar.

9:35 – Fillon evakuimi i Bursës së Nju Jorkut.

9:36 – Një raport i parë zyrtar i sulmit qarkullon: rrjeti televiziv CNBC flet për të paktën gjashtë vdekje të konfirmuara dhe një mijë të plagosur.

9:37 – Masakra nuk ka mbaruar ende. “Fluturimi 77” i “American Airlines”, i rrëmbyer nga pesë terroristë që u nis nga Aeroporti Ndërkombëtar ‘Dulles’ në Uashington D.C. me destinacion Los Anxhelesin, përplaset në Pentagon. Nga goditja, 64 personat në bordin e avionit dhe 125 brenda selisë së Mbrojtjes humbën jetën.

Qindra mijëra ton mbeturina toksike, përfshirë mbetje kancerogjene, u përhapën në Manhatanin e Poshtëm për shkak të shembjes së Kullave Binjake. Ekspozimi ndaj toksinave në mbeturina, dyshohet të ketë kontribuuar në sëmundje fatale ose dobësuese mes njerëzve që ishin në “Ground Zero” në 11 shtator 2001

9:40 – Policia paralajmëron njerëzit pranë Qendrës Botërore të Tregtisë se një aeroplan i tretë mund t’i afrohet dy kullave të goditura tashmë.

9:45 – Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni janë evakuuar. Në këtë të fundit shpërthen një zjarr i madh.

9:49 – Kongresi Amerikan dhe Departamenti i Thesarit në Uashington janë evakuuar gjithashtu pas kërcënimeve terroriste.

9:53 – Administrata Federale e Aviacionit mbyll të gjitha aeroportet amerikane.

10:00 – CNN tregon një shpërthim të madh të ri në Kullën Binjake të parë që u sulmua. Këto janë imazhet e para të tragjedisë, të marra më pas nga televizionët e të gjithë botës.

10:03 – Më pak se gjysmë ore pas sulmit të Pentagonit, “Fluturimi UA93” niset nga aeroporti i Neëark për në San Françisko. Terroristët duan ta devijojnë atë në Uashington, me sa duket për të goditur ndërtesën e Kongresit. Falë revoltës heroike të udhëtarëve, “Boeing 757” rrëzohet në fushë të hapur në Shanksville, Pensilvani.

10:07 – Është koha për apokalipsin. Rrokaqielli i parë i goditur në Nju Jork, Kulla Veriore e Qendrës Botërore të Tregtisë, shembet.

10:27 – Pikërisht njëzet minuta pas së parës, Kulla Binjake tjetër gjithashtu bie në tokë në një re pluhuri, rrënojash, zjarri dhe tmerri.

12:26 – Një tjetër ndërtesë shembet pranë Qendrës Botërore të Tregtisë, për shkak të dëmtimit të shkaktuar nga shpërthimet.

12:39 – Policia e Nju Jorkut flet për mijëra të vdekur dhe të plagosur.

Kullat Binjake në flakë: dikur krenaria e Amerikës, por pas 20 vjetësh nuk quhet gjë tjetër veç se “Ground Zero” (Pika Zero)

LAJME TË TJERA >>