Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on pinterest
Share on telegram
Share on reddit
Share on vk
Share on email
Share on print

2 dekadat e përplasjes së Dukës me politikën

Në vitin 2002, në kolltukun e presidentit të FSHF-së do të ulej Armand Duka, i diplomuar për ekonomi dhe i ardhur nga bota e biznesit. Sot, 20 vjet më pas, ai kërkon mandatin e 6-të në krye të qeverisë së futbollit shqiptar, por në një ambient shumë më ndryshe se në atë kohë, në një ambient të trazuar dhe të tensionuar çdo ditë e më tepër, sepse në prag të zgjedhjeve të 2 marsit është hedhur në sulm politika.

Lufta e Dukës me politikën në fakt nuk ka lindur sot, ajo është një histori e gjatë betejash të fituara deri tani nga kreu i FSHF-së. Thuajse asnjëherë marrëdhënia e kreut të këtij institucioni me përfaqësuesit e lartë qeveritarë nuk ka qenë pozitive. Në ato pak dalje të përbashkëta që Duka ka me aktorët kryesorë të politikës, në mes ka qenë interesi i dyanshëm.

Duka ka pasur përplasje si me qeverinë e djathtë, ashtu edhe me atë të majtë. Politika ka dashur ta marrë nën kontroll institucionin që drejton futbollin, – ndoshta duke ditur të ardhurat që ai gjeneron, – por nuk ia ka dalë deri tani.

Presidenti Duka është sulmuar në kohën e qeverisë Berisha, kur në studiot televizive e mbronte Dritan Shakohoxha, sot ironikisht rivali i tij në zgjedhjet e 2 marsit dhe që e akuzon për manipulim.

Akuzat e qeverive ndaj Dukës dhe FSHF-së kanë qenë kryesisht për korrupsion, për një institucion tërësisht të centralizuar në duart e kreut të saj dhe mungesë transparence. Ka pasur akuza për keqmenaxhim dhe keqpërdorim të fondeve të UEFA-s për zhvillimin e futbollit në Shqipëri, siç ishte rasti i fondit të solidaritetit, por dhe akuza për konflikt interesi në rastin e shitjes të së drejtës televizive për kompanitë pranë kreut të Federatës. Akuza e fundit është për përvetësim të një pjese të fondit të FIFA-s për të ndihmuar futbollin shqiptar në kohën e pandemisë. Akuzë që FSHF e ka hedhur poshtë.

Por Duka, si një ekonomist i zoti, gjithmonë ka siguruar numrat e nevojshëm për t’u rizgjedhur, ndërkohë që përballë politikës ka luajtur edhe “kartën” e kërcënimit të FIFA-s dhe UEFA-s, që nuk lejojnë kurrsesi ndërhyrjet e politikës në punët e anëtarëve të tyre. Në të tilla raste, dy institucionet e larta të futbollit veprojnë me përjashtim të vendeve që kanë këto probleme nga aktivitetet ndërkombëtare dhe kjo nuk i leverdis aspak as politikës.

Duka është rizgjedhur pa probleme në krye të FSHF-së në 2006-n, 2010-n dhe 2014-n. Ai ka mposhtur ish-kapitenin e Kombëtares Rudi Vata, i cili e ka akuzuar për zgjedhje të pandershme, më pas ka mundur edhe Refik Halilin, presidentin e Tiranës. Ndërsa në 2014-n ishte kandidat i vetëm, duke qenë se Kujtim Gjuzi, i propozuar nga Tërbuni, nuk u pranua në zgjedhje, pasi nuk kishte dokumentacionin e nevojshëm.

Beteja e parë e vështirë për Dukën ishte ajo e zgjedhjeve të 2018-s, kur politika doli hapur kundër tij dhe e rivalizoi me ish-deputetin socialist, të ndjerin Bashkim Fino. Këto kanë qenë edhe zgjedhjet më të kontestuara. Duka u akuzua për manipulim dhe u përfol se çështja do të ndiqej në KAS, por në fakt mbeti aty. Politika besoi se do ta rrëzonte Dukën me votat e bashkive, institucione që kanë nën kontroll shumë klube të futbollit, por dështoi, sepse pati “rrjedhje” vote edhe nga të vetët.

Të gjithë e kujtojnë zhgënjimin e madh të stampuar në fytyrën e Finos pas atyre zgjedhjeve, ku realisht Duka u vu në vështirësi. Ndoshta politika në atë rast e nënvlerësoi disi Dukën. Ishin zgjedhjet kur në lojë dolën shoqatat e famshme me të drejtë vote. Ishte ky mekanizmi që FSHF krijoi për t’i paraprirë situatës dhe që në fund rezultoi karta fituese. Për ato shoqata, që në krye kishin njerëz të afërt të FSHF-së, pati pretendime se nuk njiheshin nga gjykata, por edhe kjo çështje mbeti me kaq.

Tani, në prag të zgjedhjeve të 2 marsit, ka një situatë të ngjashme me shoqatat rajonale, që më sa duket, paskan ndikim të drejtpërdrejtë në zgjedhjet e ardhshme.

Ka pasur përplasje së fundi për këto shoqata, denoncime për parregullsi në zgjedhjet e tyre, hetime nga Prokuroria dhe arrestime. Situata është tensionuar shumë edhe pas daljes hapur kundër Dukës të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, i cili e argumenton këtë qëndrim me faktin se është aksioner i klubit të futbollit të Tiranës. Beteja verbale zhvillohet ndërkohë që mbrëmjen e kësaj të hëne shtëpisë së Dukës në Durrës i është vendosur tritol.

Deri më 2 mars, beteja e kreut të FSHF-së me politikën premton ashpërsim.

Politika kërkon me ngulm fitoren e parë ndaj Dukës, ndërsa ky i fundit kërkon me çdo kusht të ruajë fronin edhe për 4 vitet e ardhshme përballë çdo kërcënimi. Duka është edhe pjesëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, por ai ende nuk i ka luajtur “gurët” ndërkombëtarë. Ndoshta duke menduar se do t’i duhen më shumë kur lufta të bëhet edhe më e ashpër.

LAJME TË TJERA >>