Minimalisht 13 shpërthime masive janë dëgjuar në kufirin mes Iranit dhe Irakut, ku mendohet se ka pasur një sulm të shënjestruar drejt konsullatës amerikane në Irak dhe aeroportit, më saktësisht në qytetin e Erbil-it.
Janë parë disa drita në qiell fillimisht dhe njerëzit kanë filluar t’i filojnë ato, pa ditur situatën. Më pas, është kuptuar se është bërë fjalë për raketa, të cilat kanë goditur disa pika në Erbil.
Disa prej sulmeve mund të jenë nisur prej bazës së Kermanshah, në Kurdistanin iranian dhe janë drejtuar për nga konsullata amerikane dhe aeroporti.
Pjesa tjetër, mendohet se janë nisur nga një bazë tjetër e afërt me Tabrizin, ku gjendet Azerbajxhani iranian. Deri tani, nuk mësohet asgjë për viktima të mundshme, por mendohet se nuk ka të tillë.
Sipas disa raportimeve të tjera, mendohet se është goditur edhe selia e televizionit Kurdistan 24.
Në videot e publikuara në media sociale, duken qartësisht edhe shpërthimet e njëpasnjëshme në Erbil.
Raketat kishin si objektiv dy qendra të Mossad-it (Agjencia e inteligjencës izraelite) në Ebril. Ishte agjencia iraniane “Fars News” që e publikoi lajmin duke cituar burimet e “Sabreen News”.
Kujtojmë që agjencia e lajmeve “Fars” menaxhohet nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC). Më herët, disa burime irakiane pranë agjencisë iraniane raportuan të dielën në mëngjes se “shpërthime të tmerrshme” u dëgjuan në qytetin Erbil në rajonin e Kurdistan-it të Irakut.
Madje, “Sabreen News” shkruante se sirenat e alarmit u dëgjuan pranë bazës Al-Harir, aeroportit të Erbil-it dhe kompleksit Salah al-Din”. “Dhjetëra raketa goditën kompleksin e poshtëm në provincën Erbil, një nga bazat dhe konviktet ushtarake amerikane”, raportonte media irakiane.
Sipas dëshmitarëve lokalë, të paktën gjashtë raketa goditën pozicionet ushtarake amerikane në kompleksin Zarrin. Fill pas goditjeve, “Sabreen News” raportoi gjithashtu se një numër i madh avionësh ushtarakë amerikanë po fluturonin mbi Erbil dhe se trafiku ajror civil në zonë ishte pezulluar.
“Marrësit Adsb janë ndalur në hapësirën ajrore të Erbilit, e specializuar në trafikun ajror”, nënvizonte media në një artikull ekskluziv.
Mediat irakiane raportuan gjithashtu se portat e ambasadës amerikane në Bagdad janë mbyllur dhe është deklaruar gatishmëri e plotë në bazat ushtarake në Irak. Al-Jazeera raportoi se alarmet ishin aktivizuar në Zonën e Gjelbër në Bagdad dhe brenda Ambasadës së SHBA-ve.
“Ambasada amerikane në Bagdad është në gjendje paniku”, shton Al Jazeera.
Korrespondenti i Al Jazeera-s u shpreh se ndërtesa e re e konsullatës amerikane në Erbil ishte objektivi kryesor i sulmeve me raketa të mbrëmjes së sotme.