UKRAINË– Pushtimi rus në Ukrainë ka hyrë sot në ditën e tij të 10-të. Derisa numri i viktimave civile është ende i paqartë, agjencia e OKB-së për refugjatët thotë se më se një milion njerëz kanë ikur nga Ukraina që nga fillimi i pushtimit më 24 shkurt.
Luftimet kanë vazhduar gjatë natës në Mariupol dhe Chernihiv në Ukrainën veriore, ndërsa lagjet e banimit dhe infrastruktura civile janë bombarduar nga raketat ruse. Rusia ka vazhduar të avancojë në Ukrainë, me “sulme të pamëshirshme” të vërejtura gjatë natës në qytetin-port kyç të Mariupolit dhe qytetin verior, Chernihiv. Kryetari i bashkisë së Mariupolit ka bërë thirrje që të krijohet një korridor humanitar në mënyrë që ushqimi dhe ilaçet të mund të dërgohen në qytet, ku duket se Rusia ka rënë dakord. Ministria ruse e Mbrojtjes njofton se do të lejojë korridoret humanitare duke filluar nga ora 10 e mëngjesit me orën e Moskës për banorët e Mariupol dhe Volnovakha. Rusia ka vendosur armëpushim të përkohshëm, duke u dhënë banorëve 5 orëve që të largohen. Media shtetërore ruse ka pretenduar se trupat e saj do të “heshtin” në dy qytete kyçe nga ora 7 e mëngjesit për të lejuar evakuimin e civilëve.
Kryebashkiaku Vadym Boychenko ka paralajmëruar më parë se qyteti nuk ka ujë, ngrohje apo energji elektrike dhe se furnizimet me ushqime po mbarojnë.
Sot, presidenti ukrainas Zelenskyy me anë të një fjalimi drejtuar Perëndimit ka bërë thirrje për të ndihmuar Ukrainën duke ofruar ndihmë të menjëhershme ushtarake, si bllokimi i hapësirës ajrore të vendit nga avionët luftarakë. Zelenskyy kritikoi NATO-n pasi nuk ka reaguar pas kërkesës së Ukrainës për të krijuar një zonë të ndaluar fluturimi mbi zonë.
Një tjetër mesazh dramatik u përcoll nga Zelenskyy , i cili paralajmëroi se nëse ” Ukraina bie, e gjithë Europa do të bjerë “. Mesazhi i Zelenskyy-t u shfaq në ekranet gjigante të vendosura në qytete në Poloni, Gjeorgji, Gjermani, Francë dhe Hungari.
Mediat kryesore të lajmeve si BBC, CNN, Bloomberg, CBS News dhe Kompania Kanadeze e Transmetimeve pezulluan transmetimet në Rusi pasi Moska vendosi një ligj që kërcënon deri në 15 vjet burg për shpërndarje. Rusia ka bllokuar gjithashtu faqet e internetit të Facebook, Twitter dhe BBC, Deutsche Welle dhe Zëri i Amerikës në një përpjekje për të kontrolluar rrjedhën e informacionit dhe për të eliminuar mbulimin e pavarur mediatik.
SHBA dhe BE kanë vendosur sanksione gjithëpërfshirëse duke ngrirë asetet ruse. Refugjatë nga Ukraina kanë shkuar edhe në Hungari, Moldavi, Sllovaki dhe Rumani. Mendohet se 4 milionë njerëz mund të largohen nga Ukraina. Popullsia totale e Ukrainës para pushtimit ishte rreth 44 milionë.
Një raund i ri i bisedimeve Rusi-Ukrainë pritet gjatë fundjavës.